Besimet të cilat vërtetohen me hadithet ehad

Besimet të cilat vërtetohen me hadithet ehad
Omer el Eshkar
 
   Para se ta mbarojmë këtë diskutim, do të bëjmë një listë të besimeve, të cilat vërtetohen me hadithe sahih (të vërteta).
a) Pejgamberia e Ademit dhe e të Dërguarve të tjerë, pejgamberia e të cilëve nuk konfirmohet me Kur’an.
b) Superioriteti i të Dërguari Muhamed a.s. mbi të gjithë pejgamberët dhe të Dërguarit.
c) Ndërmjetësimi i tij i madh në Ditën e Gjykimit.
ç) Ndërmjetësimi i tij për anëtarët e këtij Umeti, të cilët kanë bërë mëkate të mëdha.
d) Ndarja e hënës në dysh. Edhe pse kjo përmendet në Kur’an, ajo interpretohet nga disa, në një mënyrë që bie në kontradiktë me hadithet sahih, të cilat e tregojnë këtë ndarje në mënyrë të qartë.
dh) Hadithet, të cilat flasin për fillimin e krijimit, atributet e engjëjve dhe xhinëve, Xhenetin dhe Xhehenemin dhe faktin se ato dyja janë të krijuara dhe faktin se guri i zi ka ardhur nga Xheneti.
e) Shumë prej cilësive unike, të cilat Es-Sujuti i përmblodhi në librin e tij El-Hasa’is el-Kubra, p.sh., fakti se ai ka hyrë në Xhenet dhe e ka parë popullin e tij dhe atë që është përgatitur për të devotshmit dhe faktin se xhindi i tij u bë musliman.
ë) Deklarime të qarta për përgëzimet me Xhenet të dhjetë sahabëve.
f) Besimi në marrje në pyetje nga Munkeri dhe Nekiri në varr.
g) Besimi në dënimin varrit.
gj) Besimi në shtrëngimin e varrit.
h) Besimi në Peshore, në Ditën e Ringjalljes.
i) Besimi në Urën e Siratit.
j) Besimi në Burimin me ujë të të Dërguarit a.s. dhe ai, i cili pi nga ai kurrë nuk do të përjetojë etje.
k) Shtatëdhjetë mijë njerëz nga ky Umet do të hynë në Xhenet pa llogari.
l) Besimi në çdo gjë që është e transmetuar në hadithet sahih lidhur me ringjalljen dhe tubimin që nuk është përmendur në Kur’an.
ll) Besimi në Kadanë dhe Kaderin (përcaktimin hyjnor të së mirës dhe të keqes). Besimi se Allahu ka përcaktuar nëse personi do të jetë fatlum ose i mjerë. Besimi se risku i caktuar do të vjen, dhe besimi se jetëgjatësia është e caktuar.
m) Besimi në lapsin, i cili ka shkruar çdo gjë.
n) Besimi se ata muslimanë, të cilët bëjnë mëkate të mëdha nuk do të mbeten përgjithmonë në zjarr.
o) Besimi se shpirtrat e dëshmorëve (shehidëve) janë në formë të zogjve të gjelbër në Xhenet.
p) Besimi se Allahu ia ka ndaluar tokës t’i hajë trupat e pejgamberëve.
q) Besimi se ka engjëj, të cilët udhëtojnë nëpër tokë dhe kanë për detyrë t’i bartin selamet e muslimanëve për të Dërguarin a.s..
r) Besimi në të gjitha shenjat e Ditës së Fundit, siç është paraqitja e Imam Mehdiut, zbritja e Isaut a.s., dalja e Dexhallit etj.
   Jo të gjitha dëshmitë për këto besime gjenden në hadithet ahad; disa prej tyre vërtetohen me hadithe mutevatir. Mirëpo, njerëzit, të cilët nuk e njohin sunetin mutevatir dhe nuk bëjnë dallime në mes të haditheve mutevatir dhe haditheve ahad, mund t’i mohojnë këto hadithe. Përndryshe hadithet, të cilat flasin për Dexhallin, paraqitjen e Mehdiut dhe zbritjen e Isaut a.s. janë hadithe mutevatir.
   Bëhet gabim edhe më i madh kur ata mohojnë besimet që transmetohen me hadithe mutevatir ose në Kur’an, duke u bazuar se kuptimi i teksteve nuk është definitiv. Kështu ata nuk besuan se njerëzit do ta shohin Zotin e tyre Ditën e Ringjalljes, edhe pse këtë Kur’ani e thotë qartë: “Atë ditë do të ketë fytyra të shkëlqyera (të gëzuara). Që Zotin e tyre e shikojnë.”      El-Kijame, 22-23
   Ndërsa hadithet që e përmendin këtë, gjithashtu e arrijnë shkallën mutevatir. Ebul Hasan el-Eshariu nisi një sulm kundër mu’tezilëve për shkak të refuzimit të tyre ndaj teksteve kur’anore dhe Sunetit, të cilët e bënin për shkak të pasimit të udhëheqësve të tyre. Ai ka thënë: “Ata në mesin e mu’tezilëve dhe kadirinjve, të cilët devijuan nga e vërteta janë drejtuar nga dëshirat e tyre për të imituar udhëheqësit dhe paraardhësit. Ata e interpretojnë Kur’anin sipas mendimeve të udhëheqësve të tyre, në një mënyrë, për të cilën nuk kanë asnjë autorizim nga Allahu dhe nuk transmetojnë asnjë hadith nga i Dërguari i Zotit të Botëve ose nga gjeneratat e hershme. Ata i kundërshtojnë transmetimet e sahabëve nga i Dërguari i Allahut, sa i përket faktit se njerëzit do ta shohin Allahun me sytë e tyre, edhe pse transmetimet për këtë kanë ardhur nga burime të ndryshme dhe transmetimet e arrijnë shkallën mutevatir. Ata mohuan se i Dërguari a.s. do të ndërmjetësojë për mëkatarët dhe i refuzuan hadithet për këtë çështje. Ata e mohuan dënimin në varr dhe se kafirët do të ndëshkohen në varr.[1]
   Diku tjetër Ebul Hasan ka thënë: “Mu’tezilët e mohuan burimin e ujit-kroin dhe e mohuan dënimin në varr.”[2]
   Ebul Hasan ka thënë në Mekalat el-Islamijin: “Ata nuk pajtohem sa i përket dënimit në varr. Disa e mohuan e disa e pranuan. Këta ishin mu’tezilët dhe havarixhët.”[3]
Ai gjithashtu ka thënë në Makalat (artikujt):
“Ata nuk u pajtuan sa i përket ndërmjetësimit të të Dërguarit të Allahut, dyshuan nëse ai do të ndërmjetësojë për ata që kanë bërë mëkate të mëdha. Mu’tezilët e mohuan dhe thanë se kjo nuk mund të ndodhë.”[4]
   Ai po ashtu përmendi në disa vende në artikujt e tij se mu’tezilët mohuan se Allahu ka sy dhe dorë, ata mohuan se njerëzit do ta shohin (Allahun) me sytë e tyre dhe mohuan se Ai do të vjen Ditën e Ringjalljes dhe mohuan se Ai zbret në qiellin më të ulët. Ata besuan se mëkatarët e muslimanëve do të mbeten në zjarr përgjithmonë dhe ata mbanin edhe besime të tjera, të cilat ishin në kontradiktë me hadithet mutevatir, bile edhe me tekstet e Kur’anit.”[5]
   Kush i mohon këto besime, të cilat u transmetuan në hadithe sahih, është duke e ndjek rrugën e mu’tezilëve, jo rrugën e Sunitëve (Ehli Sunetit).
   Kam parë njerëz të gjeneratave më të hershme ose më të vonshme duke thënë se të gjitha shenjat e Ditës së Fundit janë në hadithe ahad, për këtë shkak ata i mohojnë ato, kurse hadithet që ata mendojnë se janë mutevatir keqinterpretohen nga ana e tyre.
 
 
Gjykimi mbi ata që mohojnë atë që është vërtetuar me hadithe ahad
 
   Safarini transmeton nga Is’hak ibn Rahavejh mendimin se ata, të cilët mohojnë hadithet ahad janë kafira. Mendimi më i saktë është se ata nuk janë kafira. Ata, të cilët thanë se janë kafira menduan për njerëzit, të cilët i mohojnë hadithet, të cilat janë pranuar unanimisht nga Umeti si hadithe të sakta (sahih).
   Ndonëse ne nuk themi se ata janë kafira, ne themi se ata, të cilët i mohojnë hadithet sahih të të Dërguarit a.s. dhe nuk i përdorin ato për të vërtetuar çështjet e akides, janë plotësisht në gabim dhe ekziston frika të devijojnë për shkak të mohimit të haditheve të sakta ose t’i dënojë Allahu duke i larguar nga rruga e drejtë:
“…le të ruhen ata që kundërshtojnë rrugën e tij (të të dërguarit) se ata do t’i zë ndonjë telashe, ose do t’i godasë dënimi i idhët. En- Nur, 63
 
Metodologjia e saktë
 
   Në këtë studim ne po i përmbahemi asaj që është e shënuar në Kur’an dhe Sunet. Kështu ne duhet ta hulumtojmë akiden sipas metodologjisë së përdorur në Kur’an dhe Sunet dhe të mos dalim jashtë kësaj metodologjie. Kjo është rruga që i rigjallëroi zemrat e gjeneratave të hershme të këtij Umeti.
   Kjo është mënyra e vetme, me anë të së cilës Umeti mund ta reformojë veten në kohën bashkëkohore. Imam Maliku e foli të vërtetën kur tha: “Fundi i këtij umeti nuk do të përmirësohet me diçka tjetër përveç me atë që u përmirësua fillimi i tij.”
   Tashmë kemi parë se si metodologjia kur’anore dallon nga filozofia, në mënyrën se si ajo diskuton dhe konfirmon çështjet e ndryshme të besimit. Ky dallim na obligon ta përdorim metodologjinë kur’anore dhe asnjë metodologji tjetër.
Burimi: tezkije.com


[1] El-Ibanah an Usul ed-Dijanah, fq. 6.

[2]Po aty, fq. 75.

[3]Makalat el-Islamijin, fq. 340.

[4]Po aty, fq. 340.

[5]Makalat el-Islamijin, fq. 157, 216, 195, 474.