Allahu nuk ka fëmijë – Ai është një dhe i vetëm

Bismilahirr-Rrahmanirr-Rrahim

O ithtarët e Librit! Mos e kaloni kufirin në besimin tuaj dhe për Allahun thoni vetëm të vërtetën! Mesihu – Isai, i biri i Merjemes, është vetëm i Dërguar i Allahut dhe Fjala e Tij, të cilën ia ka dërguar Merjemes, si dhe shpirt (i krijuar) nga Ai. Pra, besojini Allahut dhe të dërguarve të Tij! Dhe mos thoni: “Tre zota”! Hiqni dorë, se është më mirë për ju! Allahu është vetëm një Zot – qoftë lavdëruar Ai! Ai është tepër i lartësuar për të pasur fëmijë. E Tij është gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë. Allahu mjafton për rregullimin e gjithësisë. Mesihu nuk do ta përbuzte kurrë që të ishte rob i Allahut, as edhe engjëjt më të afërm. Ata që e shpërfillin dhe e nënçmojnë me arrogancë adhurimin ndaj Tij, Allahu do t’i sjellë të gjithë para Vetes. (En-Nisa : 171-172)

Pa dyshim, janë jobesimtarë ata që thonë: “Allahu është Mesihu, i biri i Merjemes!” Thuaj: “Kush mund ta pengojë Allahun, nëse Ai dëshiron ta zhdukë Mesihun, të birin e Merjemes dhe nënën e tij, si dhe gjithçka që gjendet në Tokë?” Vetëm Allahut i takon sundimi i qiejve, Tokës dhe i çdo gjëje që gjendet midis tyre. Ai krijon çfarë të dojë dhe është i Plotfuqishëm për çdo gjë. Hebrenjtë dhe të krishterët thonë: “Ne jemi bijtë e Allahut dhe të dashurit e Tij”. Thuaj: “Atëherë, përse Ai ju dënon për shkak të gjynaheve tuaja? Jo! Ju jeni njerëz nga ata që Ai ka krijuar. Ai fal kë të dojë dhe dënon kë të dojë. Vetëm Allahut i përket sundimi i qiejve, i Tokës dhe i çdo gjëje që gjendet midis tyre. Dhe vetëm tek Ai kthehen të gjithë. (El-Maide : 17-18)

Pa dyshim, janë jobesimtarë ata që thonë: “Allahu është Mesihu, i biri i Merjemes!”, sepse vetë Mesihu ka thënë: “O bijtë e Izraelit, adhuroni Allahun, që është Zoti im dhe Zoti juaj! Sigurisht, atij që adhuron tjetërkënd përveç Allahut, Allahu do t’ia ndalojë Xhenetin dhe strehim i tij do të jetë Zjarri. Për keqbërësit nuk ka ndihmës. Pa dyshim, janë jobesimtarë ata që thonë: “Allahu është njëri prej Trinisë!” Nuk ka veçse një Zot të Vetëm të vërtetë! Nëse nuk heqin dorë nga ato që thonë, patjetër që jobesimtarët nga mesi i tyre do t’i godasë një dënim i dhembshëm. Përse ata nuk kthehen me pendesë tek Allahu e t’i kërkojnë falje Atij?! Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë! Mesihu, i biri i Merjemes, është vetëm një i dërguar. Edhe para tij kanë kaluar të dërguar. Nëna e tij përherë ka qenë e drejtë. Që të dy, hanin ushqim. Shiko si ua shpjegojmë atyre shpalljet tona dhe shih si largohen nga e Vërteta! (El-Maide : 72-75)

Pastaj Allahu do të thotë (në Ditën e Gjykimit): “O Isa, i biri i Merjemes! Ti ishe ai që u the njerëzve: “Adhuromëni mua dhe nënën time si zota krahas Allahut”?! Isai do të thotë: “Qofsh i lartësuar dhe i lavdëruar! Mua nuk më takon të them diçka, për të cilën nuk kam aspak të drejtë! Po ta kisha thënë ndonjëherë, Ti me siguri do ta dije. Ti e di çfarë ka në shpirtin tim, po unë nuk e di çfarë ka në Veten Tënde. Vetëm Ti i di të gjitha të fshehtat. Unë nuk u kam thënë asgjë tjetër, përveç asaj që më ke urdhëruar Ti: “Adhuroni Allahun, Zotin tim dhe Zotin tuaj!” Kam qenë dëshmitar, për sa kohë që kam jetuar midis tyre dhe, qëkurse më more mua, vetëm Ti ishe mbikëqyrës i tyre. Ti je Dëshmitar për çdo gjë. Nëse Ti i dënon ata – robërit e Tu janë, e nëse i fal ata, me të vërtetë, vetëm Ti je i Plotfuqishmi dhe i Urti. (E-Maide : 116-118)

Idhujtarët i shohin xhindet si ortakë të Allahut, ndërkohë që Ai i ka krijuar ata. Me padituri, i kanë veshur Atij djem e vajza. I lavdëruar qoftë Ai dhe i lartësuar mbi gjthçka që ia veshin ata! Ai është Krijuesi i qiejve dhe i Tokës! E si mund të ketë Ai fëmijë, ndërkohë që nuk ka bashkëshorte?! Ai ka krijuar çdo gjë dhe është i Dijshëm për çdo gjë Ky është Allahu, Zoti juaj. S’ka zot tjetër të vërtetë përveç Tij, Krijuesit të çdo gjëje, andaj adhuroni vetëm Atë! Ai është Mbikëqyrës i çdo gjëje! Shikimet njerëzore nuk mund ta arrijnë Atë, ndërkohë që Ai i arrin shikimet e të gjithëve. Ai është Bamirës i pakufi dhe di çdo gjë. (El-Enam 100:103)

Hebrenjtë thonë: “Uzejri është i biri i Allahut”, të krishterët thonë: “Mesihu është i biri i Allahut”. Këto janë fjalët e tyre, nga goja e tyre, i imitojnë fjalët e jobesimtarëve të mëparshëm. I vraftë Allahu! Si po shmangen (nga e vërteta)! Në vend të Allahut, ata kanë zgjedhur për zot rabinët dhe murgjit e tyre, si dhe Mesinë, të birin e Merjemes, ndërkohë që janë urdhëruar të adhurojnë vetëm një Zot, përveç të Cilit nuk ka tjetër që meriton të adhurohet. I lartësuar qoftë Ai mbi gjithçka që ia shoqërojnë (në adhurim). (Et-Teube : 30-31)

Ata thonë: “Allahu ka një bir”. Qoftë i lartësuar Ai! Ai është i Vetëmjaftueshëm, s’ka nevojë për asgjë. Atij i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë. Ju nuk keni asnjë provë për atë që thoni. Pse thoni për Allahun atë që nuk e dini?! (Junus : 68)

Thuaj: “Çdo lavd e falënderim i përket Allahut, i Cili nuk ka bir, nuk ka ortak në pushtet dhe nuk është i pafuqishëm, që të ketë nevojë për ndihmës” dhe madhëroje Atë, duke ngritur lart madhështinë Tij!” (El-Isra : 111)

si dhe për të paralajmëruar ata që thonë: “Allahu ka një bir”. Ata nuk kanë kurrfarë dijenie për këtë, as etërit e tyre. Sa fjalë e rëndë është ajo që del nga goja e tyre! Ata flasin vetëm gënjeshtra. (El-Kehf : 4-5)

Dhe u kthye te populli i vet, duke mbajtur fëmijën. Ata i thanë: “O Merjeme, ke bërë diçka të turpshme! O motra e Harunit!186 Babai yt nuk ka qenë njeri i keq, as nëna jote nuk ka qenë grua e shthurur.” Ajo bëri me shenjë nga i biri. Ata thanë: “Si t’i flasim ne fëmijës që është në djep?” Ai (Isai në djep) tha: “Unë jam rob i Allahut. Ai më ka dhënë Librin (Ungjillin), më ka bërë profet dhe më ka bërë të bekuar kudo që të jem. Ai më ka porositur që të falem e të jap zeqat sa të jem gjallë dhe që të jem i mirë ndaj nënës sime dhe nuk më ka bërë të ashpër dhe të padëgjueshëm. Le të jetë paqja e shpëtimi mbi mua, në ditën që kam lindur, në ditën që do të vdes dhe në ditën që do të ringjallem!” Ky është Isai, i biri i Merjemes. Kjo është fjala e vërtetë, për të cilën ata dyshojnë dhe diskutojnë. (Merjem : 27-34)

Allahu nuk ka mbetur të marrë dikë për bir. Qoftë i lavdëruar Ai! Kur vendos diçka, Ai vetëm thotë për të “Bëhu!” dhe ajo bëhet. (Isai tha): “Vërtet, Allahu është Zoti im dhe Zoti juaj; andaj adhuroni vetëm Atë! Kjo është udha e drejtë”. (Merjem : 35-36)

Ata thonë: “I Gjithëmëshirshmi ka një bir”. Keni thënë diçka vërtet të tmerrshme! Qiejt gati sa nuk copëtohen prej kësaj; Toka gati sa s’çahet e malet sa s’rrëzohen të thërrmuar, ngaqë ata i veshin një bir të Gjithëmëshirshmit. Kurrë nuk i shkon (madhërisë së) të Gjithëmëshirshmit të ketë një bir. S’ka krijesë që gjendet në qiej dhe në Tokë e që të mos vijë si rob para të Gjithëmëshirshmit. (Merjem : 88-93)

Ata thonë: “I Gjithëmëshirshmi ka për Vete një bir (prej engjëjve)”. Qoftë i lavdëruar Ai dhe i lartësuar! Jo, ata (engjëjt) janë robër të nderuar. (El-Enbija : 26)

Allahu nuk ka zgjedhur për Vete ndonjë bir dhe përveç Atij s’ka asnjë zot tjetër, përndryshe çdo zot do të merrte atë që ka krijuar dhe do të ngriheshin njëri mbi tjetrin. Qoftë i lartësuar Ai nga shpifjet e tyre! Ai di të padukshmen dhe atë që shihet. Ai është shumë lart mbi zotat që ia quajnë Atij për shok! (El-Enbija : 91-92)

Sunduesi i qiejve dhe i Tokës, i Cili nuk ka bir e nuk ka ortak në pushtet; i Cili ka krijuar çdo gjë dhe e ka rregulluar si duhet! E megjithatë ata229 adhurojnë në vend të Tij zota, të cilët nuk krijojnë asgjë e që vetë janë të krijuar, që nuk zotërojnë për veten as dëm e as dobi e që nuk janë në gjendje të japin as vdekjen, as jetën e as që të ringjallin. (El-Furkan : 2-3)

Sikur të donte Allahu të merrte një bir, Ai do të zgjidhte kë të pëlqente prej krijesave të Veta. Qoftë i lartësuar Ai nga kjo gjë! Ai është Allahu, i Vetmi dhe Ngadhënjimtari! (Ez-Zummer : 4)

Thuaju(o Muhamed): “Sikur i Gjithëmëshirshmi të kishte bir, Unë do të isha i pari që do ta adhuroja atë! Qoftë i lartësuar Zoti i qiejve dhe i Tokës, Zoti i Fronit, nga ajo çfarë i veshin Atij! (Ez-Zuhruf : 81-82)

Qoftë lartësuar Madhëria e Zotit tonë! Ai nuk ka zgjedhur as bashkëshorte, as bir. Por disa të marrë nga ne flisnin gënjeshtra për Allahun, (E-Xhinn : 3-4)

Thuaj: “Ai është Allahu, Një dhe i Vetëm! Allahu është Absoluti, të Cilit i përgjërohet gjithçka në amshim. Ai as nuk lind, as nuk është i lindur. Dhe askush nuk është i barabartë (a i krahasueshëm) me Atë!” (El-Ihlas : 1-4)